Nesta ka dhënë iluzion se mund të ishte në derbi por më kot. Nuk është e thënë që Alesandro Nesta të kthehet sa më shpejt në fushën e blertë. Mbrojtësi i Milanit rrezikon t’i thotë lamtumirë futbolit në moshën 33-vjeçare. Nesta ka pasur dhimbje në shpinë, çka do të thotë që nuk është shëruar nga dëmtimi që ka pësuar muaj më parë. Nesta nuk luan futboll që prej tre-katër muajsh dhe pritej të rikthehej formacionit të Milanit në derbi me Interin.
Jo vetëm që kjo nuk ndodhi, por Nesta duhet t’i bëjë mirë llogaritë me shëndetin e tij. Sipas burimeve pranë klubit kuqezi, diskutohet për një operacion të mundshëm, që do ta mbante për shumë muaj të tjerë jashtë fushës. Në këtë pikë, në moshën 33-vjeçare, Nesta po mendon tërheqjen nga futbolli, pasi edhe nëse do të rikthehet, nuk do mund të luante në nivelet e mëparshme.
Ndërkohë sulmuesi Marco Borriello është operuar dhe do të mungojë për disa javë. Milani është persekutuar në këtë sezon nga dëmtimet e shumta të futbollistëve, çka është reflektuar edhe te rezultatet, që nuk janë të kënaqshme. Milani renditet në vendin e tretë, me tetë pikë më pak se Interi i vendit të parë.