Studimet për gjuhën shqipe
Gjuha dhe kultura e shqiptarëve, lashtësia dhe karakteri origjinal i
tyre, kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e studjuesve të huaj dhe
shqiptarë që në shekullin XVIII dhe më parë. Në mënyrë të veçantë,
gjuha, historia dhe kultura e shqiptarëve, tërhoqi vëmendjen e botës
gjermane. Me të u mor edhe një filozof i madh, siç ishte Gotfrid
Vilhelm Lerbnitz, që punoi një shekull para lindjes së gjuhësisë
krahasimtare. Ai mendonte, se studimi krahasues i gjuhëve ishte
themelor për të ndërtuar një histori universale të botës, për ta
kuptuar dhe për ta shpjeguar atë. Në disa letra, që ai i shkruante një
bibliotekari të Bibliotekës Mbretërore të Berlinit, në fillim të
shekullit XVIII, shprehet edhe për natyrën dhe prejardhjen e gjuhës
shqipe dhe pas disa luhatjeve, arriti në përfundimin, se shqipja është
gjuha e ilirëve të lashtë.
Megjithatë, studimet shkencore për gjuhën shqipe, si dhe për shumë
gjuhë të tjera, nisën pas lindjes së gjuhësisë historike-krahasuese nga
mesi i shekullit XIX. Një nga themeluesit e kësaj gjuhësie, dijetari
gjerman Franz Bopp, arriti të provonte që në vitin 1854, se shqipja
bënte pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane dhe se zinte një vend
të veçantë në këtë familje gjuhësore. Pas tij, studjues të tjerë, si
G.Meyer, H.Pedersen, N.Jokli, studjuan aspekte të ndryshme të leksikut
dhe të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe. G.Meyer do të hartonte
që në vitin 1891 një Fjalor etimologjik të Gjuhës shqipe
(Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache, Strasburg 1891),
i pari fjalor i këtij lloji për shqipen. Përveç këtyre, një varg i madh
gjuhëtarësh të huaj, si F.Miclosich, G.Weigand, C.Tagliavini, St.Man,
E.Hamp, A.Desnickaja, H.Ölberg, H.Mihaescu, W.Fredler, O.Bucholtz,
M.Huld, G.B.Pellegrini, etj. kanë dhënë kontribute të shënuara për
studimin e historisë së gjuhës shqipe, të problemeve që lidhen me
prejardhjen e saj, me etimologjinë, fonetikën dhe gramatikën historike,
si edhe në studimin e gjendjes së sotme të shqipes.
Ndërkohë, krahas studimeve për gjuhën shqipe të albanologëve të huaj,
lindi dhe u zhvillua edhe gjuhësia shqiptare. Ajo i ka fillimet e saj
që në shekullin XVII, kur Frang Bardhi botoi të parin fjalor të gjuhës
shqipe “Dictionarium Latino-Epiroticum” (1635). Gjatë Rilindjes
Kombëtare u botuan disa gramatika të gjuhës shqipe. Kështu, në vitin
1864, Dhimitër Kamarda, një nga arbëreshët e Italisë, botoi veprën
“Laggio della grammatica comparata sulla lingua albanese”, Livorno
1864, vëll.II “L’Apendice al saggio dalla gramatica comparata sulla
lingua albanese”, Prato 1866. Më 1882, Kostandin Kristoforidhi botoi
“Gramatikën e gjuhës shqipe” dhe më 1806, Sami Frashëri botoi
“Shkronjëtoren e gjuhës shqipe”, dy vepra gjuhësore të rëndësishme të
shekullit XIX për gramatologjinë e gjuhës shqipe. Nga fundi i shekullit
XIX, Kostandin Kristoforidhi përgatiti edhe një “Fjalor të gjuhës
shqipe”, i cili u botua në vitin 1904 dhe përbën veprën më të
rëndësishme të leksikografisë shqiptare, që u botua para Luftës se Dytë
Botërore. Në vitin 1909, botohet Fjalori i shoqërisë “Bashkimi”.
Pas shpalljes së Pavarësisë, u botuan një varg gramatikash dhe fjalorë
dygjuhësh, për të plotësuar nevojat e shkollës dhe të kulturës
kombëtare. Në fushën e gramatikës u shqua sidomos Proff. Dr.Aleksandër
Xhuvani.
Aleksandër Xhuvani (1880-1961)
Kreu studimet e larta në Universitetin e Athinës. Veprimtaria e tij për
studimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar, e nisi që gjatë
periudhës së Rilindjes Kombëtare. Bëri një punë të madhe për pajisjen e
shkollës sonë me tekste të gjuhës shqipe, të letërsisë, të pedagogjisë
dhe të psikologjisë. Drejtoi e punoi për hartimin e udhëzuesve
drejtshkrimorë në vitet 1949, 1951, 1954, 1956.
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e
të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”
(1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave
“Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962),
trajtesa themelore në fushën e fjalformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe
një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e
gjuhës shqipe.
Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të
gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan
pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të
dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961).
Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar. Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.
Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të
shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të
specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe
Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i
Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës,
Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg
veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e
leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u
hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh,
nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954),
“Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme”
(1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i
gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor
frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik
ballkanik” (1999).
Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë
të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i
gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga
shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave
gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes
gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota
është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa
(1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me
Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysëmshekulli, kanë
zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës
së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës
dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto
fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime,
nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e
gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”
(Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.
Eqerem Cabej (1908-1980). Studjuesi më i shquar i historisë së gjuhës
shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare.
Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta
i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas
mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë
shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto
fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimni të pasur
shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe
arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në
ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem
Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën
e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës
shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të
filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të
shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II
“Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968),
“Shqiptarët midis përëndimit dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së
sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e
drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore
brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në
kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të
njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu
prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem
Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës
shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj,
vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e
popujve të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e
gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së
cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të
kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh
terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë,
veprimtaria e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë pasqyrohet në
botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot,
janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë);
“Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në
Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm
veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun
etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në
këtë fushë
Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy
shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë),
Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem
Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli
Kostallari, Idriz Ajeti, etj.[center]