Një skuadër pa kampionë, ku askush nuk di të bëjë diferencën. E pamundur të luashmë skemën 4-4-2….. plot me burokratë”. Këto janë fjalët e ish-trajnerit të Çelsit Luis Felipe Skolari, që kritikon hapur disa lojtarë, në veçanti Didie Drogbanë dhe Florent Maludanë, që “kur luante te Lioni bënte diferencën.”
Para se të shkarkohej, Skolari i kishte kritikuar lojtarët e tij në një intervistë të dhënë për “France Footboll”, duke shprehur vështirësitë që kishte hasur në “Stemford Bridge”. “Nuk kemi lojtarë të aftë për ta bërë vetë diferencën. Në të kaluarën këtu kishte lojtarë si Roben, por tani nuk është më kështu. Robinjo do të kishte qenë ai lloj futbollisti për të cilin ka nevojë Çelsi, pasi është nga ata që merr përsipër edhe rreziqet. Përkundrazi, Çelsi është mbushur me burokratë.”
Skolari gjithashtu është shprehur më parë se nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u mësuar futbollistëve futbollin dhe për të ndërtuar marrëdhëniet e duhura edhe jashtë fushës së blertë. “Nuk i kam futbollistët për të luajtur me skemën 4-4-2. Është shumë e vështirë që Anelka dhe Drogba të luajnë bashkë. Drogba, pasi dëmtimeve që ka pësuar, ka humbur edhe besimin në vetvete.” Ndërsa për Maludanë tekniku portugez shprehet: “Është vetëm një kujtim i zbehtë i të kaluarës, që bënte diferencën kur luante me Lionin.”