AlbKosova Forum

www.VetemSport.TK
 
ForumForum  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimi  

Share | 
 

 Beteja e Kosoves 1389

Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Shko poshtë 
AutoriMesazh
GenttoGolD
Admin


Numri i postimeve : 237
Join date : 10/02/2009
Location : Kosovë/Drenas

MesazhTitulli: Beteja e Kosoves 1389   Thu Feb 19, 2009 5:39 pm

Beteja e Kosoves 1389

Përparimi i turqve dhe plaçkitjet e mëdha që ata bënë shkaktuan shqetësim në të gjithë popujt e Ballkanit. Për t’i bërë ballë rrezikut, mjaft sundimtarë feudalë serbë, bullgarë, shqiptarë, rumunë, lanë përkohësisht më një anë grindjet e vjetra dhe formuan kundra turqëve një kualicion nën kryesinë e princit serb Lazar, nga bujarët shqiptarë në kualicion morën pjesë Gjergji i II Balsha i cili me këtë rast e prishi marrëveshjen që kishte bërë me turqit, Teodhor Muzaka, zoti i Beratit e sundimtari i Myzeqesë si dhe disa feudalë të tjerë më te vegjël. Me 1389 ushtritë e kualicionit u dolën përpara në Kosovë ushtrive turke të cilave u printe vetë sulltan Murati i I. Por në betejën e përgjakëshme që u zhvillua në fushën e Kosovës afër Prishtinës, me gjithë qëndresën heroike, ushtritë kalorsiake të kualicionit të veshura rëndë me çelik u thyen nga jeniçerët turq. Pas ndeshjes, Sulltan Murati u vra nga një luftëtar serb dhe princi Lazar u ekzekutua për hakmarrje nga turqit. Në këtë betejë u vranë edhe mjaft shqiptarë.

Pas fitores që korrën në Kosovë, turqit filluan të shtriheshin pa gjetur pengesë të madhe në vendet akoma të papushtuara të Ballkanit. Sulltani i ri. Bajaziti i I, i njohur me mbiemrin “Jilldërim” (Rrufeja) ndërmori një varg fushatash të shpejta dhe i shpuri ushtritë turke deri në Bosnje dhe Vllahi.

Disfata që pësuan popujt ballkanikë në Kosovë shënoi gjithashtu fundin e pavarësisë së principatave shqiptare. Turqit grumbulluan në Shkup ushtri të shumta si dhe kolonistë të prurë nga Anadolli dhe e caktuan këtë qytet. pikëmbështetje për veprimet ushtarake kundër Shqipërisë. Që këtej reparte të avancuara akinxhijsh kryenin herë pas here inkursionet e tyre paraprake plaçkitëse. Sulmet e tyre drejtoheshin para së gjithash kundër qyteteve të mëdha e të fortifikuara të bregdetit: Shkodrës, Durrësit, Vlorës.

Përballë rrezikut turk, vendi ishte i ndarë midis principatave të dobësuara edhe më tepër nga antagonizmat feudale. Në Principatën e Durrësit, feudalët vasalë përfituan nga dobësia e sundimtarit të ri, Gjergj Topisë (1388-1392), që ishte në moshë të re, i sëmurë dhe i paaftë, dhe njëri pas tjetrit u shkëputën prej tij. Nga dobësia e Gjergj Thopisë u përpoq të përfitonte edhe Gjergj i II Balsha. Më 1391 ky u përgatit të sulmonte dhe të pushtonte Durrësin, por u detyrua të hiqte dorë nga ky sulm sepse edhe brenda në Principatën e Shkodrës, feudalët vasalë, midis të cilëve edhe vëllai i tij, Konstandin Balsha, u shkëputën dhe bile e kërcënuan atë me kryengritje. Në jug, në despotatin e Artës, vazhdonin grindjet midis Gjin Bua Shpatës dhe Thoma Preljuboviçit. Me një gjendje të tillë në Shqipëri nuk kishte shpresë që t’u bëhej turqve në rezistencë serioze.

Veç kësaj, në kohën kur nga lindja rritej rreziku i turqve, nga perëndimi doli një rrezik tjetër: ai i pushtimit të bregdetit nga Venediku. Republika tregëtare e Shën-Markut, shpejtoi të nxirte përfitime nga paniku që u përhap në Ballkan prej disfatës së Kosovës dhe u përpoq të vinte dorë mbi qytetet bregdetare të Shqipërisë përpara se këto të kalonin në duart e turqve. Duke përdorur forcën e parasë dhe duke shfrytëzuar pakënaqësinë e feudalëve vasalë, ajo e minoi pushtetin e princëve shqiptarë më tepër se sa turqit me forcën e armëve. Gjergj Thopia, i kërcënuar nga sulmet e turqve, nga synimet e Balshës së Shkodrës dhe nga revolta e bujarëve arbëreshë të principatës të nxitur nga Venediku, nuk i rezistoi dot presionit gjithnjë e më të madh të republikës, së Shën-Markut dhe e detyrua të linte Durrësin nën kontrollin e saj. Veç kësaj, më 1392, u nënshkrua në Durrës midis tyre një marrëveshje sipas së cilës Republika e Shën-Markut i siguronte Gjergj Topisë përkrahjen dhe një shpërblim vjetor me kusht që pas vdekjes së Gjergjit, Durrësi të kalonte nën zotërimin e Venedikut. Disa muaj pas marrëveshjes, Gjergj Topia vdiq dhe kështu Durrësi u aneksua dhe u bë pjesë e zotërimeve të republikës. Me vdekjen e Gjergjit, i cili nuk la trashëgimtar, dhe me kalimin e qytetit në duart e Venedikut, Principata e Durrësit u çthur fare. Bujarët e nënshtruar si Muzakët e Skurajt dolën më vehte. Zotërimet e vjetra të Topiajve, krahinat midis Durrësit, Tiranës dhe Krujës u ndanë midis nipërve dhe mbesave të Karl Topisë.

Republika e Venedikut bëri gjithashtu presion edhe mbi Gjergjin e II Balsha, për t’i shkëputur këtij qytetet e rëndësishme të principatës. Gjergji në fillim i bëri ballë presionit të republikës. Më 1392 ai u shpreh i gatshëm të merrte pjese në pregatitjet për luftë kundër Turqisë që po bënte Hungaria e ndihmuar nga Raguza, aleatët e vjetër të Balshëve. Por më 1393 turqit, të cilët siç duket kishin rënë në dijeni të këtyre pregatitjeve, kryen një inkursion në teritoret e principatës, pushtuan Shkodrën e Ulqinin dhe zunë rob gjithashtu Gjergj Balshën. Me ndërhyrjen e Raguzës, Gjergji u lirua më 1394 dhe një vit më vonë, më 1395, turqit u tërhoqën nga Shkodra e Ulqini, të cilat kaluan përsëri në duart e sundimtarit Balshë. Por tashmë pozitat e këtij ishin mjaft të lëkundura. Më 1396 Gjergji i II hyri në luftë me feudalët Dukagjinë të Lezhës, të cilët përkraheshin nga Venediku. Atë vit presioni i Venedikut u shtua edhe më tepër dhe Gjergji i II Balsha u detyrua t’i nënshtrohej këtij presioni duke lidhur me republikën një marrëveshje, sipas së cilës ajo do të merrte Shkodrën, Drishtin, Danjën dhe Shasin; Gjergji i II, përveç shpërblimit që do të merrte nga Venediku, mbajti edhe doganën e Shirgjit në lumin Bunë. Me këtë mënyrë u dobësua shumë edhe principata e Shkodrës.

Bashkë me principatat shqiptare të pavarura morën fund edhe autonomitë e komuneve qytetare. Republika e Shën-Markut nuk i respektoi traditat e vetadministrimit të qyteteve, por vendosi në krye të tyre qeveritarë venedikas. Nga këta më të rëndësishmit ishin bajli i Durrësit dhe konti i Shkodrës. Bashkë me qeveritarët erdhën edhe patricë venedikas të cilët zunë postet më të rëndësishëm të administratës dhe monopolizuan dalëngadalë tregëtinë e qyteteve. Shumë pronarë dhe bashtinarë shqiptarë u xhveshën nga feudet të cilat republika ua dha pronarëve venedikas. Të tjerët u detyruan të kryenin shërbimin ushtarak nën urdhërat e republikës. Pasi i shtinë në dorë qytetet, qeveritarët venedikas u përpoqën t’i zgjeronin kufijtë e tyre. Kështu brenda pak kohe e gjithë krahina e Shkodrës së bashku me zonën bregdetare u përfshi nën zotërimin e tyre. Për të përballuar shpërblimet që republika u jepte feudalëve arbëreshë dhe rrogat e mëdha që u paguante qeveritarëve të saj, popullsia u ngarkua me taksa të rënda. Në kurriz të qytetarëve dhe fshatarëve u rritën edhe detyrimet angari në dobi të republikës, sidomos puna e detyruar për meremetimin dhe forcimin e kështjellave. Të gjitha këto shkaktuan pakënaqësinë e popullsisë. Më 1399, tre vjet pas vendosjes së sundimit venedikas, konti i Shkodrës e lajmëronte Senatin: “i gjithë vendi ka ngritur krye kundër sundimit tonë. Kryengritja shpërtheu në qytete dhe në fshatra. Përveç Shkodrës dhe Drishtit, qytetet e tjera ranë në duart e qytetarëve, të cilët i dëbuan funksionarët venedikas. Shumë fshatarë braktisën tokat e tyre se nuk donin të shlyenin detyrimet dhe angaritë e rritura. Në këtë kryengritje morën pjesë edhe pronarët e pakënaqur. Por me gjithë përhapjen e saj, kryengritja a vitit 1399 u shtyp.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Beteja e Kosoves 1389
Shiko temën e mëparshme Shiko temën pasuese Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
AlbKosova Forum :: Çështja kombëtare :: Historia shqiptare-
Kërce tek: